Në kuadër të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, UBT International Smart Schools organizoi një ceremoni të veçantë dhe emocionuese, ku nxënësit dhe mësimdhënësit shprehën me krenari dashurinë për atdheun.
Ceremonia u nderua me praninë e Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe drejtoreshës së UBT International Smart Schools, Hajrije Devetaku – Gojani, të cilët, me fjalë frymëzuese, theksuan domosdoshmërinë e ruajtjes së identitetit dhe traditave kombëtare, si dhe rëndësinë e arsimit për forcimin e ndjenjës së përkatësisë dhe krenarisë kombëtare.
Nxënësit, të cilët kishin punuar me pasion dhe dedikim, paraqitën një koncert të këngëve dhe valleve popullore, duke krijuar një atmosferë të paharrueshme që ngjalli krenari dhe dashuri për folklorin shqiptar.
Komeditë, të mbushura me humor dhe sharmin e skenarëve të cilët ishin shkruar dhe interpretuar nga vetë nxënësit, shfaqën një pasqyrë të ngrohtë dhe plot humor të aspekteve të ndryshme të jetës shqiptare, duke krijuar një atmosferë relaksuese për të gjithë të pranishmit.