E Hënë - E Premte 08:00 - 16:00
Kontakti +38346332233

UBT në Garat Ndërkombëtare të Robotikës – FIRST Global Challenge

UBT në Garat Ndërkombëtare të Robotikës – FIRST Global Challenge

First Global Challenge është një garë ndërkombëtare e robotikës që mbledh të rinj nga e tërë bota për një qëllim të vetëm: rritja e vetëdijesimit të rinisë në fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë). Këtë vit kjo garë u mbajt në Singapor nga 7 deri më 10 tetor 2023 me tematikën “Hydrogen Horizons” që promovon krijimin e energjisë së ripërtërishme nga hidrogjeni. Në mesin e 191 shteteve ishte edhe Kosova e përfaqësuar nga ekipi ynë: Eda Palush, Gjin Gojani, Leona Hajrizi dhe Muhamed Shala, me mentore Elita Hajrizi. Pjesë e rëndësishme e ekipit punues ishin edhe nxënës të tjerë, si: Dren Hoxha, Harisa Haziri, Rrezon Halimi, si dhe Arxhend Jetullahu, inxhinier i mekatronikës.


Nga korriku deri në tetor 2023, ekipi ynë punoi çdo ditë në laboratorin e mekatronikës në UBT. Puna përfshiu krijimin e dizajnit të robotit, ndërtimin, programimin dhe testimin e tij, analizën e lojës mbi të cilën bazohej performanca e robotit, krijimin e strategjisë për lojë, si dhe promovimin e ekipit në media sociale në formate të ndryshme. Gjatë kësaj kohe, në bazë të punës së tyre, nxënësit fituan njohuri të shumta profesionale në fusha të ndryshme, si dhe u aftësuan në aspektin personal, social e kreativ. Kjo eksperiencë u mundësoi atyre që të takonin e krijonin shoqëri me të rinj nga e gjithë bota gjë që u dha këndvështrime e horizonte të reja, si dhe një rrjet të tërë të pasionuar për zhvillim.


Në Singapor, ekipi bashkëpunoi me ekipe nga shtetet e ndryshme duke krijuar aleanca tre – shtetëshe për lojë të ndryshme. Ata patën mundësi të punonin me ekipe nga të gjitha anët e botës, si: Shqipëria, Holanda, Kazakistani, Korea e Jugut, Namibia, Kroacia, Luxemburgu, e shumë të tjera. Gjatë këtyre lojëve, ekipi shënoi pesë fitore gjithsej, duke u mbështetur në strategji të sukseshme.


Në këtë garë, ekipi përfaqësoi Kosovën si në aspektin teknologjik, ashtu edhe në aspektin kulturor. Në ceremoninë e hapjes, nxënësit e valëvitën flamurin e Kosovës, të veshur me veshje tradicionale Kombëtare nga Fusha e Dukagjinit, e Rugovës dhe Drenicës. Në mesin e 191 shteteve, ata treguan edhe për vlerat e tjera të shoqërisë kosovare: muzikën tradicionale, vallet e mikpritjen, gjë që bëri Kosovën të merrte një frymë tejet pozitive tek njerëz që na mendonin thjesht si djep i luftës apo as që nuk na njihnin fare. Më tutje, ata u vlerësuan edhe nga organizata FIRST me çmimin Social Media Award për promovimin e vendit dhe punës së tyre në media sociale.


Për ekipin, kjo ishte një eksperiencë e paharrueshme. Ata u njohën me kulturat e ndryshme, duke përfshirë atë Singaporiane, me profesionistë të shumtë e me njohuri nga më të ndryshmet. Pjesa më e veçantë është sigurisht përfaqësimi i vendit tonë në një arenë ndërkombëtare, ku ata patën mundësi t’i japin kontribut e jehonë rinisë e shtetit të Kosovës.


UBT përgatit ekipin që përfaqëson Kosovën që nga viti 2017 dhe do të vazhdojë ta vendos Kosovën në harta të teknologjisë e të zhvillimeve më të reja edhe më tutje. Vitet e kaluara, ka fituar edhe medalje të artë e të argjendtë në këtë garë, e në vitet e ardhshme me eksperiencat e njohuritë e reja, ekipi padyshim do të ketë suksese edhe më të mëdha